Bejta: Gjykatat t’i shqyrtojnë kërkesat për kompensim të dëmeve të luftës nga Serbia
Lexohet për: 3 min.
jahir bejta
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar dosje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të vendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, drejtuar kundër Qeverisë së Serbisë.

Drejtori i kësaj shoqate, Jahir Bejta tha se gjykatat në Kosovë po refuzojnë kërkesën e tyre për kompensim të dëmeve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai kërkoi që këto dosje të dorëzuara të cilat përmbajnë detaje të dëmeve, të merren parasysh dhe të mos hedhen poshtë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Bejta theksoi se gjykatat kosovare janë kompetente t'i shqyrtojnë paditë për kompensim të dëmeve.

Për këtë, avokati Ardian Bajraktari theksoi se në bazë të përvojave të kaluara, kur palët nuk janë të autorizuara, vështirë se do të merret parasysh ky dorëzim i dosjes për kompensimin e dëmeve nga kjo shoqatë.

"Ne tani deri në Gjykatën Kushtetuese e kemi kaluar procedurën nëpër Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe së fundi kemi bërë kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës. Fatkeqësisht dhe mjerisht nuk është lejuar revizioni, por kemi marrë aktvendim mbi refuzimin e kërkesës për revizion dhe tani jemi pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës në përputhje me kushtetutën e vendit. Gjykatat tona, gjyqësori vendor, madje edhe Gjykata Kushtetuese, janë të obliguara t'i implementojnë konventat ndërkombëtare, madje me supermaci, të cilat i mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore...Gjyqësori jonë është duke i refuzuar, duke i hudhur, duke u thirrur në jo kompetencë. Nuk ka diçka më të rëndësishme se jeta e njeriut, prona dhe dinjiteti njerëzor. Gjykatat tona përveç që i refuzojnë, i udhëzojnë palët viktima që të drejtat e tyre të mohuara dhe të rrënuara t'i dërgojnë nëpër gjykatat e Beogradit...Gjykatat tona janë kompetente t'i shqyrtojnë paditë për kompensim të dëmeve", tha Bejta.

Përveç kësaj, Bejta potencoi se do të kërkojnë drejtësi për krimet serbe edhe në gjykata ndërkombëtare.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë Ibrahim Xhaka e quan të shëmtuar neglizhencën e institucioneve vendore lidhur me këtë çështje.

Sa i përket çështjes ligjore për këtë kërkesë, avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për KosovaPress tha se çështja e adresimit në Gjykatën Kushtetuese është edhe e drejtë individuale porse duhet të jenë palë të autorizuara.

Ai tha se bazuar në rastet e kaluara të ngjashme, shoqatat duke mos qenë palë të drejtpërdrejta të involvuara, konsideron se mund të mos shqyrtohen fare.

Lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Departamentin për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, dhe është në pritje të përgjigjes.

Lajmi në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024