Bejko: Sot është dita që qytetarët ta refuzojnë kapjen e tregut të Tiranës nga krimi
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Roland Bejko ka votuar sot pranë qendrës së votimit në shkollën “Gustav Majer”.
Ai ka ftuar qytetarët për të dalur për të votuar, derisa është shprehur se sot është dita që qytetarët të refuzojnë kapjen e tregut të Tiranës nga krimi i organizuar e oligarkia.
“Nëse qytetarët e Tiranës e shikojnë se krimi i organizuar ka kriminalizuar ekonominë e Tiranës, derisa janë bindur për ato që kemi thënë gjatë fushatës elektorale, sot është dita që ta refuzojnë pikërisht kapjen e tregut të Tiranës nga krimi i organizuar nga oligarkia politike dhe nga oligarkia financiare. Në bashkëpunim me qytetarët ne do të mbrojmë pronën e qytetarëve, ne do të zhvillojmë turizmin, do të zhvillojmë ekonominë e Tiranës. Këto janë premtimet e mia duke siguruar që shërbimi ndaj qytetarëve do të kryhet në mënyrën më të mirë, sepse ne do ta çlirojmë biznesin e Tiranës edhe nga taksat e renda duke i përgjysmuar ato”, ka thënë Bejko.
Mes tjerash, ai është shprehur se oligarkët në Tiranë njihen me emër, prandaj sipas tij, qytetarët e Tiranës duhet të japin frymarrje Tiranës me votën e tyre dhe duhet të mbështesin alternativen me të mirë.
Bejko nuk ka lënë pa përmendur edhe kundërshtarët tjerë politikë, me ç’rast ka thënë se është dita që qytetarët të ndahen nga e shkuara.
Duke folur për pritshmëritë e këtyre zgjedhjeve, ai ka theksuar se është vetmi demokrat.
Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Roland Bejko ka thënë se e ardhmja e tijpolitike nuk varet nga këto zgjedhje dhe se nuk do të konkurrojë për kryetar partie sido që të jetë rezultati.
Në Shqipëri mbahen sot zgjedhjet lokale, ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.
Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Gara do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste të Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.
Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.
Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.
Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërkaq, PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon./KosovaPress