Begaj pret Fajon: Anëtarësimi në BE, objektiv i përbashkët i rajonit
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim Tanja Fajon, zëvendëskryeministre dhe ministre për Punët e Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë.
Gjatë bisedës u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe u theksua rëndësia e ruajtjes së kësaj fryme bazuar në interesat e përbashkëta, partneritetin në NATO dhe perspektivën e përbashkët evropiane.
Presidenti i Republikës vlerësoi mbështetjen që Sllovenia ka dhënë dhe jep për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe politikat e zgjerimit të Unionit në Ballkanin Perëndimor.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv i përbashkët i rajonit, u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se, në Shqipëri ky vizion ka nxitur transformimin përmes ecurisë së reformave.
“Ai, gjithashtu, i ka dhënë një shtysë të madhe synimeve tona rajonale për paqen dhe stabilitetin, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nismave të tjera me rëndësi për zhvillimin e Ballkanit”, u shpreh Presidenti Begaj gjatë takimit me ministren e Jashtme sllovene, Tanja Fajon.