Begaj në Azerbajxhan: Shqipëria, e vetëdijshme për rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Shqipërisë,  Bajram Begaj, gjatë një vizite në Azerbajxhan mori pjesë në “Global Baku Forum”, një takim i përvitshëm që mbledh udhëheqës dhe personalitete nga e gjithë bota, si presidentë, kryeministra, ekspertë të fushave të ndryshme dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare.

“Fixing the Fractured World” ishte tema e “Global Baku Forum XI” për këtë vit, në të cilin Begaj theksoi domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mes shteteve dhe qeverive për të përballuar me sukses sfidat aktuale.

“Në një botë ku ndasitë duket se sa vijnë e thellohen nga dita në ditë, tema e forumit tonë nuk mund të ishte më urgjente. Jetojmë në një epokë me sfida të pashembullta. Ndryshimet klimatike, paqëndrueshmëria politike, pabarazitë ekonomike, padrejtësitë sociale, dhe jo vetëm, janë çështje globale që nuk mund të trajtohen vetëm në nivel rajonal. Zgjidhja e tyre kërkon bashkëpunim”, tha ai.

Në lidhje me rolin e Shqipërisë në rajon, presidenti Begaj rikonformoi orientimin euroatlantik dhe qëndrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si faktor kyç për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

“Në këndvështrimin e Shqipërisë, si një aleate e palëkundur në NATO dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, pasojat e këtij konflikti dhe roli ynë në arkitekturën mbarë evropiane të sigurisë, janë thelbësore. Shqipëria, e gjendur në udhëkryqin e interesave të mëdha gjeopolitike, është më se e vetëdijshme për rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit. Rrugëtimi ynë drejt anëtarësimit në BE nuk është vetëm një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, reformave ekonomike dhe shtetit të së drejtës, por, gjithashtu, një tregues i qartë i përkushtimit tonë për të kontribuar në mënyrë sa më të efektshme për sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit evropian”, vuri në dukje Begaj.

Në mbyllje të fjalës së tij, Begaj theksoi se stabilizimi i një bote të trazuar nga ndasitë nuk lidhet vetëm me adresimin e sfidave globale, por me humanizmin e përbashkët.

Gjatë qëndrimit në Baku, presidenti Begaj, zhvilloi disa takime bilaterale si me homologun e tij nga Azerbajxhani Ilham Aliyev , kryeministrin Ali Asadov, me të cilët diskutoi mbi marrëdhëniet midis dy vendeve, perspektivat, si dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik me fokus tek energjia dhe turizmi.

Gjithashtu u theksua potenciali i Shqipërisë si nyje rajonale e shpërndarjes së gazit, ndërkohë që presidenti Begaj ftoi sipërmarrjen shtetërore dhe atë private të investojnë në Shqipëri. /OraNews

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024