Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi mbrëmjen e djeshme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Kreu i Shtetit në fjalimin e tij u fokusua në arritjet e vitit që lamë pas, te sfidat e Shqipërisë, ato rajonale dhe globale përgjatë vitit 2024, ndërsa ndau me të pranishmit vizionin për përballimin me përgjegjshmëri të këtyre sfidave në funksion të zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme.
Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.
Fjala e plotë e Presidentit Bajram Begaj para trupit diplomatik:
Shkëlqesi Ambasadorë,
Zonja e zotërinj,
Për mua ky takim është i një rëndësie të veçantë, sepse është mundësi e mirë të ndajmë bashkë jo vetëm rezultatet e vitit që shkoi, por edhe sfidat dhe shpresat për vitin që sapo ka filluar.
Sfidat dhe shpresat janë sa globale, edhe rajonale, dhe sa më të ndërgjegjshëm të jemi për kompleksitetin e tyre, aq më shumë do të jemi të përgjegjshëm për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.
Këto kriza dhe kërcënime gjejnë shprehje në zvarritjen, dhe shpesh në dështimin e dialogut, në sulmin ndaj parimeve demokratike të qeverisjes dhe në krijimin e ligjërimeve dhe veprimeve diametralisht të kundërta.
Agresioni rus ndaj një vendi sovran si Ukraina vazhdon. Populli dhe qeveria ukrainase janë heronjtë e përditshëm të një qëndrese në emër të sovranitetit dhe dinjitetit njërëzor.
Sulmi terrorist i Hamasit kundër Izraelit e rindezi konfliktin, duke përkeqësuar situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Mbështesim zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Mbështetja e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për kryerjen e hetimeve të thelluara për identifikimin dhe dënimin e nxitësve dhe të autorëve është e domosdoshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie për rajonin dhe Europën.
Situata në Bosnje-Hercegovinë është delikate dhe kërkon vëmendje, pasi ka ende aktorë politikë, të cilët nuk janë shkëputur nga e kaluara konfliktuale.
Përballja me këto sfida dhe kërcënime kërkon të jemi të bashkuar në një aleancë për mbrojtjen e paqes dhe të vlerave demokratike.
Kjo aleancë vlerash duhet të jetë e hapur, jo e mbyllur; përfshirëse, dhe jo përjashtuese, ku diversiteti kulturor, fetar dhe etnik konsiderohet pasuri dhe jo mangësi.
vitin e shkuar pata kënaqësinë të vizitoj dhe të pres kryetarë dhe përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave të ndryshme. Çdo takim ka patur veçantinë e tij, por e përbashkëta e tyre ishte dakordësia për respektimin e vlerave universale.
Vitin e shkuar, Shqipëria dha një kontribut të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuara me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.
Shqipëria gjithashtu do të vijojë të japë kontributin për paqe në rajon dhe më gjerë, sepse paqja është themeli i mirëqënies, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektit të ndërsjellë.
Thellimi i reformave dhe nxitja e zhvillimit social- ekonomik të vendit është para së gjithash për të mirën e qytetarëve tanë. Këto ndihmojnë gjithashtu edhe në çeljen e kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për të konsoliduar besimin e aleatëve dhe të miqve tme në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjej rastin të falënderoj SHBA-në dhe vendet e Bashkimit Europian për bashkëpunimin dhe mbështetjen në ecurinë e procesit të integrimit dhe zhvillimin e reformave të gjithanshme që kemi ndërmarrë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE.
Falënderim dhe mirënjohje për promovimin e Shqipërisë, vlerave të saj historike, kulturore dhe bukurive natyrore, si dhe për bashkëpunimin e frytshëm në nxitjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta!
Zonja e zotërinj,
Jemi krenarë që po shpërblehet mundi dhe puna e çdo shqiptari të ndershëm, punëtor e atdhetar. Kontributi i tyre duhet të jetë frymëzues edhe për klasën politike, e cila ka mundësinë të ushtrojë dialogun politik dhe të bashkëpunojë në funksion të interesit të qytetarëve dhe interesit kombëtar.
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
Shpreh bindjen se edhe Bashkimi Evropian do vijojë t’i kushtojë vëmendjen e duhur e të veçantë Ballkanit Perëndimor.
Është me rëndësi që rajoni të mbështetet dhe të krijohen mekanizmat që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve.
Shqipëria mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe integrimin e saj Euro-Atlantik. E përshëndes vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës!
Për ambasadorët e vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, dua të ripërsëris kërkesën ta njohin Republikën e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm.
Uroj që presidencat belge dhe hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe presidenca malteze e OSBE-së, gjatë këtij viti t’i kushtojnë vëmëndjen e duhur rajonit të Ballkanit Perëndimor në funksion të mbizotërimit të frymës së bashkëpunimit dhe të dialogut.
Të nderuar të pranishëm,
Unë besoj se paqja, bashkëpunimi dhe shpresa për një të ardhme më të mirë, duhet të jenë lajtmotivet tona gjatë këtij viti.
Me shpresën se paqja, siguria dhe bashkëpunimi do të jenë orientimi i komunitetit botëror në qasjen ndaj sfidave të reja, ju uroj vendeve, popujve dhe organizatave tuaja tuaj, një vit të mbarë e të begatë!
Mbetem i gatshëm që këtë vit të vijojmë më intensivisht bashkëpunimin për të promovuar mesazhin e paqes, solidaritetit dhe shpresës.
Ju faleminderit!