Begaj-Bettel: Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor me rëndësi gjeopolitike
Lexohet për: 2 min.
1-133
2 vite më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot në një takim kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.

Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve në këtë vit që shënon 100-vjetorin e njohjes së Shqipërisë nga Luksemburgu dhe 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për ndihmën e çmuar që Luksemburgu dha për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar i nëntorit 2019 në Shqipëri.

Lidhur me procesin e integrimit evropian si dhe vëmendjen që shoqëria dhe institucionet shqiptare i kushtojnë atij, Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e pakursyer që Luksemburgu i ka dhënë Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë këtij procesi.

Presidenti tha se mbështetja domethënëse e Luksemburgut për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka marrë një rëndësi edhe më të madhe gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit të armatosur rus në Ukrainë.

Presidenti Begaj e falënderoi Kryeministrin Bettel edhe për hapësirat dhe kushtet që Luksemburgu i ka krijuar komunitetit shqiptar që jeton e punon atje.

Kreu i Shtetit dhe Kryeministri Bettel vunë theksin te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi si e vetmja rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.

Ata ndanë mendime mbi zhvillimet politike ndërkombëtare, me fokus pasojat dhe ndikimin e luftës në Ukrainë për rendin botëror dhe sigurinë e paqen në tërësi./atsh/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025