Bedri Krasniqi lirohet nga aktuza për vrasjen e dy policëve, dënohet me 8 vjet Alban Dezdari
Lexohet për: 3 min.
Bedri-Krasniqi
1 vit më parë
Linku u kopjua

Bedri Krasniqi, i akuzuar për vrasjen e rëndë të një polici të Kosovës dhe një të UNMIK-ut, është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga akuza në mungesë të provave. Trupi gjykues erdhi në përfundim se nuk ka prova të mkajftueshme se i dyshuari kishte kryer veprën penale.

Kurse Alban Dezdari u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”, në të cilin dënim do të llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim.

Dezdari është liruar nga aktakuza për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” sipas aktit akuzues.

Dezdari është obliguar t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale në lartësi prej 500 eurosh si dhe për fondin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100 eurosh të gjitha këto në afat prej 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Përpos Krasniqit dhe Dezdarit, të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri mirëpo më 2017 Gjykata Supreme nxori vendim për lirimin e tyre pasi të njëjtit isin gjykuar më herët për veprën e njëjtë dhe se ka një vendim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, A.Rr, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.

Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025