BE “shuplakë” Gjuriqit: Serbia u zotua të mos e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
1-First
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
BE “shuplakë” Gjuriqit: Serbia u zotua të mos e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
eu flamuri
18/05/2026 - 15:23
Linku u kopjua

BE-ja ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ditë më parë tha se Kosova “nuk është pranuar dhe nuk do të pranohet në Këshillin e Evropës (CoE)” duke i kujtuar atij dhe vendit që ai përfaqëson se  Serbia është pajtuar, në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Bazuar në Nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit, Serbia është pajtuar që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në përgjigjen e BE-së për KosovaPress.

Në këtë kontekst, Brukseli, po ashtu, i ka kujtuar Serbisë kushtin se duhet të zbatojë të gjithë marrëveshjet e arritura më parë.

“Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, është kusht për të dyja, Kosovën dhe Serbinë, të ecin përpara në rrugët e tyre evropiane”, thuhet më tej në përgjigje.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq tha pas takimi të 135-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) që u mbajt të premten në Kishinau të Moldavisë, se vendi i tij loboi që Kosova të mos pranohej, këtë ditë, si anëtarë e Këshillit të Evropës.

Sipas tij, pavarësisht se disa ministra evropianë kishin bërë thirrje publikisht që kjo të ndodh, diçka e tillë nuk ndodhi.

“Lajme të mira nga Kishinau dhe Moldavia mike – Kosova dhe Metohia nuk do të bëhen anëtare të Këshillit të Evropës sot. Parimi i integritetit territorial dhe sovranitetit do të mbizotërojë sot... dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që zëri i Serbisë – e cila e njeh integritetin territorial dhe sovranitetin e të gjitha vendeve evropiane në mënyrë të barabartë – u dëgjua qartë, pa ekuivoke dhe me kapacitet të plotë”, u tha Gjuriq gazetarëve, të premten.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026