Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur keqardhje që Gordana Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit të saj gjatë betimit si presidente e re e Maqedonisë së Veriut në një ceremoni parlamentare sot në Kuvend.
Zëdhënësja e BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, Nabila Massrali, tha në një komunikatë të dielën në rrjetin social X, se BE-ja rithekson rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, duke përfshirë atë të Prespës me Greqinë.
Duke injoruar shqiptimin e drejtë të emrit të ri të shtetit, presidentja e gjashtë e Maqedonisë së Veriut dhe presidentja e parë grua, Gordana Silanovska-Davkova bëri sot betimin solemn para deputetëve, korit diplomatik, përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore, por edhe krerëve të komuniteteve fetare.
Gordana Silanovska-Davkova fitoi në zgjedhjet presidenciale të 8 majit ku në raundin e dytë për kundërkandidat kishte presidentin e deritanishëm Stevo Pendarovski nga radhët e LDSM-së.
“Deklaroj se funksionin president i Maqedonisë. Do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi”, tha Gordana Siljanovska-Davkova në betimin e presidentes së shtetit, pa e përmendur emrin kushtetues.
Athina zyrtare tha dje se shpreson që udhëheqja e re e Maqedonisë Veriore t’iu përmbahet dispozitave të Marrëveshjes Ndërkombëtare të Prespës me të cilën shteti ndryshoi emrin nga Maqedonia në Maqedonia e Veriut.