Bashkimi Evropian e ka vlerësuar shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes veprimin e autoriteteve të Serbisë, e cila ka bllokuar qytetarët kosovarë në kufijtë e saj, teksa i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së, ka thënë se janë duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar.
Ai tutje ka thënë se BE-ja pret që palët të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre të dialogut, që sipas tij mbeten të vlefshme dhe detyruese.
“Ne gjithashtu presim që palët të sigurojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e dialogut dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin”, ka theksuar tutje Stano.
Shoferi i një kompanie të autobusëve, Euron Llugaliu ka bërë të ditur për KosovaPress se autoritetet e Serbisë kanë nisur të lirojnë qytetarët kosovarë të kalojnë kufirin në pikën kufitare Kroaci-Serbi, pas bllokimit me orë të tëra. Megjihatë një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë.