BE parashikon përmirësim të ekonomisë gjatë këtij viti
Lexohet për: 2 min.
gentiloniii
1 vit më parë
Linku u kopjua

Dega ekzekutive e Bashkimit Evropian ka treguar parashikimin e saj për rritjen ekonomike për vitin 2023 dhe pret që BE-ja të shmangë për pak një recesion.

Komisioni Evropian pret që rritja për 20 vendet e BE-së që përdorin monedhën euro të arrijë në 0.8% dhe rritja e përgjithshme për bllokun 27-anëtarësh të jetë 0.9%.

Meritat e përmirësimit iu dhanë nivelit të lartë të depozitimit të gazit natyror që ka zbutur frikën e racionimit të energjisë gjatë dimrit. Ndërmarrjet dhe qeveritë evropiane u përpoqën të gjenin furnizime të reja alternative pasi Rusia ndërpreu shumicën e furnizimeve të gazit natyror në Evropë, në mes të luftës në Ukrainë.

Çmimet e gazit natyror, i përdorur për ngrohjen e shtëpive, industrinë e karburantit dhe prodhimin e energjisë elektrike, arritën nivele rekord verën e kaluar, duke u rritur deri në 18 herë mbi nivelin e para krizës dhe i bëri familjet dhe bizneset të reduktojnë përdorimin e tyre.

Çmimet që atëherë kanë rënë nga ai kulm, megjithëse vazhdojnë të jenë rreth tre herë më të larta se përpara se Rusia të fillonte luftën në Ukrainë.

“Ekonomia e BE-së i mposhti pritjet e vitit të kaluar, me rritje elastike, pavarësisht nga valët tronditëse nga lufta e agresionit rus”, tha Paolo Gentiloni, komisioneri i BE-së për ekonominë.

“Dhe ne kemi hyrë në vitin 2023 me një bazë më të fortë se sa ishte parashikuar: Rreziqet e recesionit dhe mungesave të gazit janë zbehur dhe papunësia mbetet në një nivel të ulët rekord. Megjithatë evropianët ende përballen me një periudhë të vështirë përpara”, tha ai, raporton REL.

Kostot e energjisë dhe çmimet e konsumit janë ende të larta edhe pas tre muajsh radhazi të rënies së inflacionit vjetor nga kulmi prej 10.6% në tetor, në 8.5% në janar.

Për më tepër, Banka Qendrore Evropiane po rrit ndjeshëm normat e interesit për të frenuar inflacionin.

“Ndërsa presionet inflacioniste vazhdojnë, shtrëngimi monetar do të vazhdojë, duke rënduar aktivitetin e biznesit dhe duke ushtruar një zvarritje të investimeve”, tha Gentiloni.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024