BE kërkon ndërgjegjësim më të madh për komunitetin LGBTIQ+
Lexohet për: 3 min.
BE-160524
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Me rastin e shënimit të 17 Majit - Ditës kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë së bashku me shoqërinë civile kanë kërkuar ndërgjegjësim më të madh dhe largimin e stigmave me të cilat po përballet komuniteti LGBTIQ+.

Zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka thënë se përmes organizimeve të ndryshme po mundohen të krijojnë një mjedis sa më të mirë për komunitetin LGBT IQ+.  Ajo është shprehur se kontributi i gjithë shoqërisë luan rol të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti.   

“Ne kemi kontribuar në lëvizje shumë të fuqishme në mbarë globin, duke luftuar kundër diskriminimit të personave LGBTIQ+. Kjo është pjesë integrale e angazhimit tonë në mbarë botën. Dhe ndërsa ne jemi krenarë për këtë, heronjtë e vërtetë sigurisht që jeni ju, komuniteti këtu në terren, aktivistët, shoqëria civile që janë të angazhuar në mbrojtjen e këtyre të drejtave. OKB-ja në Kosovë, si dhe shtetet tona anëtare, kanë bashkëpunuar për një kohë të gjatë me ju për evokimin e ligjeve dhe politikave kundër diskriminimit që nxisin barazinë”, ka thënë Palatova.

Drejtori ekzekutiv nga Qendra për zhvillimin e grupeve sociale, Arbër Nuhiu është ndalur te stigmatizimi që i bëhet këtij komuniteti duke e quajtur si sëmundje, gjë e cila është hedhur poshtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë viteve ’90-ta.  

“17 maji është Dita Ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë, bifobisë në përkujtim të vendimit të viteve 1990 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të hequr homoseksualizmin nga gara e çrregullimeve mendore. Pse po them se kjo është një klishe? Është një klishe sepse kjo është diçka që po e përsërisim çdo vit, por duket se këtë vit do të na duhet ta përsërisim shumë, sepse kemi politikanë që njohuritë e tyre kanë ndalur para viteve '90, sepse homoseksualizmin po e quajnë sëmundje”, tha Nuhiu

Gjithashtu Nuhiu ka shtuar se komuniteti LGBTIQ+ vazhdon të jetë në qendër të sulmeve dhe diskriminimeve të ndryshme.

“Komuniteti LGBTI është duke u përballur me diskriminim dhe gjuhë të urrejtjes për një kohë të gjatë. Por kohët e fundit ka pasur një rritje të dukshme të sulmeve të synuara nga grupe të caktuara fetare dhe krahut të djathtë. Kjo mund të manifestohet me forma të ndryshme si gjuha diskriminuese, sjellja përjashtuese, dhuna, madje edhe përpjekjet e grupeve fetare të organizuara shumë keq, të cilët duan të heqin të drejtat dhe mbrojtjen për personat LGBTI”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, në këtë aktivitet shoqëria civile dhe Bashkimi Evropian i kanë paraprirë vazhdës së aktiviteteve kushtuar komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë, ku poezitë e tyre i recituan Arber Selmani “Të pres në xhaminë e qytetit” (“Waiting For You At The City Mosque”), Uresa Ahmeti “Should the Homosexual Be a Good Citizen?” dhe Agnesa Qerimi - “What about my pigtails, Mother!”

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024