BE-ja po rrit prodhimin e energjisë nga era në Baltik
Lexohet për: 2 min.
FbbNNqbXgAAx0Bf
2 vite më parë
Linku u kopjua

Në përpjekje për të reduktuar varësinë e Bashkimit Evropian nga lëndët djegëse fosile ruse, tetë shtetet anëtare të BE-së ranë dakord sot të rrisin shtatë herë kapacitetin për prodhimin e energjisë elektrike të prodhuar nga era në Detin Baltik deri në vitin 2030.

Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia, të cilat shtrihen përreth Detit Baltik, ranë dakord sot në prani të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të rritur në mënyrë drastike prodhimin e energjisë përmes erës.

“Ne ndajmë një potencial të madh për erën në det të hapur. Për sa kohë që ne varemi nga lëndët djegëse fosile, do të jemi të pambrojtur”, tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

Kapacitetet e turbinave me erë në Detin Baltik janë aktualisht 2.8 gigavat, dhe pothuajse të gjitha instalimet janë të vendosura në ujërat daneze dhe gjermane.

KE tha në mars se donte të reduktonte varësinë nga gazi rus me dy të tretat këtë vit dhe plotësisht deri në vitin 2030. Komisioni zbuloi gjithashtu një objektiv për të rritur pjesën e saj të energjisë së rinovueshme nga 40 në 45 për qind deri në vitin 2030.

BE-ja synon gjithashtu të reduktojë gazrat serrë me 55 për qind deri në vitin 2030 dhe të jetë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050.

Të hënën, Danimarka tha se do të rrisë kapacitetin e saj të erës në ishullin Bornholm të Detit Baltik nga dy në tre gigavat dhe do ta lidhë këtë prodhim me rrjetin elektrik të Gjermanisë.

Në maj, Gjermania, Danimarka, Holanda dhe Belgjika njoftuan një marrëveshje të ngjashme për të rritur kapacitetin e energjisë së erës të Detit të Veriut dhjetëfish në 150 gigavat deri në vitin 2050 për të ndihmuar BE-në të arrijë qëllimet klimatike dhe të shmangë hidrokarburet ruse.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024