Bashkimi Evropian (BE) në Kosovë mirëpret miratimin e Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme nga ana e Kuvendit të Kosovës sot.
Në njoftimin e BE-së thuhet se në gusht të vitit 2022, Kuvendi kishte bërë tashmë një hap të madh në trajtimin e rekomandimeve të BE-së në fushën e financimit të fushatës përmes Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
“BE-ja në Kosovë është e lumtur të shohë se shumica e këtyre rekomandimeve tanimë janë përfshirë në Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme. Në korrik të vitit 2022, Kuvendi themeloi Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, i cili e përfundoi me sukses dhe me konsensus punën e tij më 5 prill 2023. Komisionin e përgëzojmë për punën profesionale dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në njoftim.
BE i bënë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të harmonizojë rregulloret zgjedhore me ligjet e reja në mënyrë që të përgatitet për zbatimin e kornizës së re ligjore përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Sipas BE-së, përmirësimi dhe forcimi i procesit zgjedhor është një veçori e përhershme në çdo demokraci si dhe kërkesë e vazhdueshme për demokracitë në zhvillim.
“Kjo duhet të bazohet në gjetjet dhe rekomandimet nga zgjedhjet paraprake që synojnë që në të ardhmen të sigurojnë zgjedhjet më të lira, më të drejta dhe më transparente, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.