Bashkimi Evropian e konsideron 9 janarin, që në Republikën Sërpska – entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë – konsiderohet si Dita e Republikës Sërpska, si festë antikushtetuese.
Kështu tha të martën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili përsëriti se blloku evropian e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës si shtet të bashkuar, duke theksuar se në Bruksel dënojnë çdo përpjekje apo retorikë ndarëse.
Sa i përket cilësimit të 9 janarit si festë jokushtetuese, Stano tha se ky cilësim bazohet në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.
“Kjo datë është antikushtetuese edhe për BE-në. Gjykata Kushtetuese [e Bosnjës] dy herë është shprehur se shpallja e kësaj date si ditë feste në Republikën Sërpska nuk është në përputhje me rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës”, tha Stano.
“Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësi e mirë janë vlera dhe kushte që duhet të respektohen nga të gjitha shtetet e rajonit që duan të integrohen në BE. Veprimet, deklaratat, apo gjestet që kanë ndikim negativ në bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, që ndikojnë në thellimin e ndasive nuk ndihmojnë. Bëjmë thirrje, sidomos për Serbinë, që të veprojë me përgjegjësi dhe të mos vë në dyshim këto parime”, tha Stano, duke paralajmëruar se për ata që bëjnë veprime kundër integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës do të ketë pasoja serioze.
Ai u pyet për pasojat e mundshme, pasi lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka bërë kërcënime të vazhdueshme për shkëputjen e entitetit nga Bosnja.
Më 9 janar, entiteti i Republikës Sërpska ka shënuar Ditën e Republikës Sërpska. Në manifestimet për këtë festë kanë marrë pjesë liderët serbë në Bosnje, por edhe nga Serbia janë shprehur qëndrime për bashkimin e serbëve në rajon dhe falënderime dhe mbështetje që Rusia i shpreh këtij entiteti.
Ndërkaq, lideri i këtij entiteti, Millorad Dodik, ka përsëritur mundësinë e shkëputjes së entitetit serb nga Bosnje e Hercegovina. Këto deklarata janë dënuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./REL