Bashkimi Evropian pret që autoritetet e Serbisë t’i shqyrtojnë në mënyrë transparente raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Përmes një deklarate të përbashkët për media, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, thanë se në mesin e parregullsive gjatë zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, përfshihen edhe ato të raportuara në kryeqytetin serb, Beograd dhe komuna të tjera.
Dy zyrtarët e lartë evropianë i bënë thirrje udhëheqjes politike serbe që të sigurojë një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në të gjithë spektrin politik.
Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiq, ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.
Partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi, dhe se rezultatet nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.
Edhe nga vëzhguesi zgjedhor serb, CRTA, kanë deklaruar se rezultatet në Beograd nuk pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.
E treta është radhitur lista “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” me 6.57 për qind të votave. Më pas vjen “Shpresa për Serbinë” me 5.03 për qind dhe “Ne – Zëri i Popullit” me 4.69 për qind.
Në zgjedhjet e 17 dhjetorit, banorët serbë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Serbisë për të votuar. Kjo pasi votimet nuk janë lejuar të mbahen në territorin e Kosovës, krahasuar me vitet më parë.
Qeveria e Kosovës kishte kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.