Duke mbështetur thirrjen e OKB-së, Komisioni Evropian tha të premten se BE-ja është e gatshme të mbështesë hapjen e korridoreve humanitare në Gaza.
Duke folur në konferencën e përditshme të lajmeve të Komisionit Evropian, zëdhënësi kryesor Eric Mamer konfirmoi se BE ka një "shqetësim për situatën e përkeqësuar humanitare në Gaza, veçanërisht për shkak të mungesës së ujit, ushqimit, furnizimeve mjekësore, karburantit, dhe energjisë elektrike".
Kjo thirrje përfshin "inkurajimin e krijimit të korridoreve humanitare dhe lejimin e dërgesave të ndihmave humanitare shumë të nevojshme", shpjegoi ai.
Ai përsëriti dënimin e BE-së për "sulmet e dhunshme dhe pa dallim terroriste në të gjithë Izraelin nga Hamasi" dhe nënvizoi se "Izraeli ka të drejtë të mbrohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare".
Ai gjithashtu vuri në dukje se këto lëvizje duhet të shmangin "pasojat e mëdha humanitare".
"Hamasi nuk duhet t'i ndalojë njerëzit të largohen dhe nuk duhet t'i përdorë ata si mburoja njerëzore", tha më tej Mamer.
Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi Operacionin “Al-Aksa Flood” kundër Izraelit, një sulm i papritur i shumëfishtë duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe depërtimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit. Hamasi tha se operacioni ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Përgjigjja e Izraelit është zgjeruar me ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është e përfshirë nga një rrethim të madh që nga viti 2007. /AA