Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) drejtuar nga Ali Ahmeti vlerësoi se VLEN për dy vite po zhbën të arriturat 24-vjeçare të shqiptarëve.
BDI thekson se dy vite nga formimi i qeverisë pa legjitimitet etnik te shqiptarët, po dëshmohet çdo ditë se paralajmërimet tona kanë qenë të drejta. Kjo qeveri ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë pasoja të rënda në dëm të karakterit multietnik të shtetit, të pozitës së shqiptarëve dhe të vet frymës së Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
“Që në ditët e para të kësaj qeverie, shqiptarët u përballën me goditje të drejtpërdrejta. Përmes vendimeve të ministrit Minçev, përqindja e shqiptarëve u zvogëlua nga 29.5% në 24.3%, ndërsa VLEN heshti përballë këtij akti. Po ashtu, ndalimi i përdorimit të flamurit shqiptar nga përfaqësues të shqiptarëve nuk hasi në asnjë reagim serioz nga ata që pretendojnë se mbrojnë interesat shqiptare.
Po ashtu, diaspora shqiptare u përjashtua nga përllogaritjet që ndikojnë drejtpërdrejt në përfaqësimin institucional dhe lokal. Si pasojë e fshirjes së qytetarëve jorezidentë nga kalkulimet përkatëse, u zvogëlua numri i këshilltarëve komunalë në shumë komuna shqiptare, duke dëmtuar përfaqësimin demokratik të shqiptarëve.
Kulmi i këtij procesi të zhbërjes së të arriturave shqiptare është vendimi për shfuqizimin e emrave që pasqyrojnë historinë, identitetin dhe dinjitetin kombëtar të shqiptarëve. Emra si Sheshi Iliria, Dervish Cara, Kongresi i Manastirit, Dëshmorët e Kombit dhe shumë të tjerë po hiqen nga hapësira publike, ndërsa rikthehen emërtime të së kaluarës jugosllave, përfshirë edhe emrin “Marshall Tito” në zemër të Tetovës.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të mbrojë pa kompromis të drejtat kolektive të shqiptarëve, frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe karakterin multietnik të shtetit, duke mos lejuar që sakrifica dhe të arriturat e një çerek shekulli të shkatërrohen për interesa të ngushta politike”, thuhet në reagimin e BDI-së.