Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përshëndet dhe mirëpret vendimin ekzekutiv të presidentit të SHBA-së Joe Biden për konfirmimin e vlefshmërisë së masave ndëshkuese amerikane ndaj atyre që nuk respektojnë Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës dhe fqinjësisë së mirë.
Në një komunikatë për media të BDI-së thuhet se vendimi është shprehje e rëndësisë jetike që kanë këto marrëveshje, dhe cenimi i tyre lëkund themelet e paqes dhe paraqet kërcënim për demokracinë e mirëfilltë.
Marrëveshja e Ohrit, ajo e Prespës dhe fqinjësisë së mirë, janë edhe fryte të ndërmjetësimit objektiv të SHBA-së gjatë gjithë këtyre viteve në mbështetje të vendit tonë dhe mbarë rajonit, shtigje që mundësuan integrimin tonë në NATO dhe afrimin si asnjëherë më parë para dyerve të Evropës, thekson BDI.
Bashkimi Demokratik për Integrim paralajmëron se do të vazhdojë në mënyrë autonome dhe brenda Frontit Evropian të jetë gardian i zbatimit të këtyre marrëveshjeve historike, ashtu siç kishte rol vendimtar në miratimin dhe zbatimin e tyre.
“Apelojmë që këtë ta bëjnë të gjithë protagonistët e politikës vendore pasi vetëm respektimi i këtyre marrëveshjeve është garanci e paqes, stabilitetit dhe ecurisë zhvillimore të vendit”, përfundon komunikata.