BDI kërkon hetim urgjent për Burim Latifin për dëmin 6 milionë euro në MEPSO
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
BDI kërkon hetim urgjent për Burim Latifin për dëmin 6 milionë euro në MEPSO
bdiii
Foto Ilustruese
30/04/2026 - 11:32
Linku u kopjua

Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut kërkon hetim të menjëhershëm ndaj Burim Latifi, drejtor i Përgjithshëm i MEPSO-s dhe kushëri i parë i Izet Mexhitit, pas vendimit ndërkombëtar që dënon shtetin të paguajë 6 milionë euro dëmshpërblim, pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve të tij.

Sipas BDI-së, Burim Latifi ka anuluar kontratën ekzistuese me kompaninë Energoinvest nga Sarajeva dhe e ka zëvendësuar me ELNOS BL DOOЕL nga Banja Luka, kompani e lidhur ngushtë me rrjetin e interesave të Milorad Dodikut.

“Tribunali ndërkombëtar DAB, që vepron sipas rregullave FIDIC, i ka rrëzuar të gjitha kundërkërkesat e MEPSO-s prej 19.3 milionë eurosh dhe i ka njohur Energoinvestit të drejtën në 6 milionë euro, që do të dalin nga buxheti i shtetit nga xhepat e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

BDI konstaton se Burim Latifi, i emëruar në krye të një ndërmarrjeje strategjike shtetërore mbi baza familjare dhe politike, ka marrë vendime që kanë dëmtuar drejtpërdrejt interesin publik dhe kanë futur një kompani të lidhur me Dodikun në infrastrukturën kritike energjetike të një shteti anëtar të NATO-s.

BDI i kërkon Prokurorisë Publike fillimin e menjëhershëm të hetimeve penale ndaj Burim Latifi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit shtetëror, kërkon auditim të plotë të të gjitha kontratave të nënshkruara gjatë mandatit të tij dhe pezullimin e menjëhershëm të marrëveshjes me ELNOS BL deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

“Gjashtë milionë euro nga buxheti i shtetit janë çmimi i emërimeve politike dhe i lidhjeve me Dodikun. Burim Latifi duhet të japë llogari.”, thuhet në fund të reagimit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026