Derisa Federata e Futbollit të Kosovës tashmë është në kërkim të një trajneri të ri për kombëtaren pas largimit të Primoz Glihas, një kandidaturë e ofruar është ajo e Tahir Batatinës.
Trajneri i Llapit në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nëse i besohet kjo detyrë, ai do të punon që Kosova të ndjekë rrugën e Kroacisë, shtet ky që sot është ndër më të fuqishmet ën botën e futbollit.
Ai ka shtuar se po kërkon timonin e Dardanëve për t’i rikthyer ata në rrugën e suksesit dhe për të treguar vlerat e tij si trajner.
Batatina ka zbuluar se ende nuk është kontaktuar nga drejtuesit e FFK-së, derisa ka apeluar që assesi të mos emërohet sërish trajner i huaj në krye të Kosovës.
Në planin e tij, Batatina ka bërë të ditur se parasheh që gjysma e lojtarëve të ftuar nga ai në kombëtare do të ishin nga Superliga e Kosovës.
“Të garantojë që 50/50, automatikisht 50 përqind do të jenë të Superligës së Kosovës, 50 përqind do të jenë lojtarët të cilët kanë formë optimale nëpër skuadrat e tyre. Ata lojtarë që kanë formën optimale në Superligën e Kosovës iu garantoj për çdo skuadër, Dritës, Gjilanit, Prishtinës, Llapit, Ballkanit të gjitha skuadrave do t’i angazhojë te kombëtarja dhe iu garantoj që me ata djemë që do t’i angazhojnë nga Superliga e Kosovës bashkarisht me yjet që i kemi si Amir Rrahmanin, Muriqin, Zhegrovën që nuk duhet fare të mendohet ndryshe pa këta djemë të cilët janë top lojtarë, që kanë dalë nga liga e Kosovës dhe më këta djemë do të bëhet një kombëtare e cila ndoshta do të jemi befasi edhe e botërorit edhe e evropianit”, ka thënë në fund Batatina.