Para finales së Kupës së Kosovës, trajneri i Llapit Tahir Batatina dhe portieri Ilir Avdyli kanë folur mbi përgatitjet për ndeshjen kundër Dritës.
Ata shprehën besimin se do të dalin ta mposhtin rivalin gjilanas dhe ta dërgojnë kupën në Podujevë.
“Kemi mposhtur pretendentët kryesorë për titull të kampionit. Ndoshta është një motiv pak më i madh për mua si trajner dhe për skuadrën, kështu që na kemi ardhur në finale me plot meritë, duke i mposhtur skuadrat më të forta, por finalja është finale. Sido që të jetë jemi të relaksuar, jemi të gatshëm, kemi arritur Evropën si skuadër kështu që do ta bëjmë maksimumin që nesër në ndeshje do të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Batatina.
Më tej, Batatina tregoi se ndeshja e nesërme do të jetë ndër finalet më të mira pas luftës.
Batatina tregoi se e gjithë ngarkesa do të jetë mbi supet e Dritës.
“Ndoshta nesër Llapi do të jetë paksa më i qetë se Drita. Drita ka presionin që 20 vjet nuk ka marrë kupë, Llapi do të thotë e ka ende të freskët kupën pas një viti. Kështu që na nuk kemi ndonjë ngarkesë, ngarkesën e mban Drita. Ne do të jemi të qetë nesër në lojë, ashtu që do të thotë që kupa e ka mësuar rrugën për Podujevë, dhe besoj që do ta mbajmë prapë, që nesër në ora 22:00 ta çojmë prapë në Podujevë”, tha Batatina.
“Nuk është hera e parë që luajmë ndeshje të rëndësishme, sepse ndeshja e kupës është trofeu i dytë më i rëndësishëm, dhe kupa e Republikës, prandaj duhet ta ketë rëndësinë e veçantë, por te kjo pjesë nuk e kemi problem, pasi që trajneri është i hapur në komunikim dhe në deklarata”, tha Avdyli.
Nesër nga ora 20:00, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Dritës dhe Llapit për finalen e Kupës së Kosovës.