Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak, më 2 korrik qëndroi për vizitë në Kosovë, ku vizitoi zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës si dhe zhvilloi një takim pune me Kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku.
Novak përgëzoi FBK-në për punën e bërë në hartimin e Planit Strategjik 2026-2030, si dhe vlerësoi vizionin afatgjatë dhe qasjen profesionale të Federatës në zhvillimin e basketbollit. Rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të FIBA Europe per zbatimin e qëllimeve strategjike dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FBK-në në projektet e ardhshme.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Novak kishte qenë prezent në ndeshjen mes Kosovës dhe Shqipërisë e cila u zhvillua në Prizren në kuadër të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2029.
Kjo vizitë e Kamil Novak konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe FIBA Europe, gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të organizatës më të lartë evropiane të basketbollit për zhvillimin e basketbollit në Kosovë.KosovaPress