Baraliu: Nëse dorëzohet Albini, kapaciteti i tij dukshëm më i ulët se Thaçi
Lexohet për: 3 min.
analisti Baraliu
1 vit më parë
Linku u kopjua

Analisti Bleron Baraliu ka reaguar pas takimeve të sotme të kryeministrit Albin Kurti me krerët e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Kurti pas takimeve ka theksuar se është shprehur i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, por edhe draft-statutin e asociacionit, të prezantuar nga diplomatët euroatlantikë javën e shkuar, por se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023.

Ndërkohë analisti Baraliu në një status në Facebook ka shkruar se “askush nuk ka qenë më konfident dhe më i zëshëm se unë në kundërshtim të çfarëdo prognoze që "Albini do ta pranojë Zajednicën".

“Nuk mund të them më që jam kaq i sigurt, por mund të vazhdoj të konstatoj se -- pavarësisht rrezikut se a do të dorëzohet Albini dhe me çfarë çmimi - zajednica, 'as asi as kësi' nuk duhet të jetë as kurrsesi pranohet të bëhet pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare. Serbët e Kosovës edhe kanë të drejtë ta bëjnë një asociacion, por nëse po flasim për një të tillë brenda suazave të kushtetutës, atëherë pse ka nevojë të ngrihet një e drejtë e tillë e zakontë në nivel të marrëveshjes ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

“Nëse Albini vazhdon të qëndrojë, e unë besoj probabiliteti për këtë ka rënë për shkak të kostos së pa mençurisë së tij në Ohër, atëherë ai dëshmon meritën e mbështetjes që ia kemi dhënë (unë dhe të tjerë) deri këtu në raport me stoicizmin e tij karshi mujsharizmit euro-amerikan bashkë me presionin bashibuzuk të brendshëm. Në të kundërtën, nëse dorëzohet tash, unë vetë do ta cilësoja kapacitetin e tij për negociata dhe rezistencë ndaj trysnisë së dallaverexhive racistë internacionalë dukshëm në nivel më të ulët se të Hashim Thaçit, pak a shumë diçka mes Thaçit e Abdullah Hotit”, ka shtuar Baraliu.

“Uroj që Albini të mbajë premtimin e dhënë herën e fundit që e kam takuar, dhe besoj se duhet të qëndrojë me guxim e forcë edhe pasi gëzon mbështetje dhe përkrahje të gjerë, pavarësisht racionalizimit relativ e pragmatik që iu është bërë pjesë dhe taktikë kyçe e trysnisë më të fundit mujshariste”, ka përfunduar ai.

Kurti këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjeve, thotë se Vuçiq refuzoi - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025