Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi Programin e Dytë të Politikave për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Gjelbër (DPL), me një financim prej 120 milionë dollarë për forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Ky është financimi i dytë i një serie prej dy fazash që ndihmon Shqipërinë të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe atë mjedisore.
Ky program është në përputhje me Kuadrin e Partneritetit të Vendit për periudhën 2023-2027, çka përforcon angazhimin e Bankës Botërore për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e saj.
“Paketa e reformave që mbështesim përmes këtij programi synon të forcojë perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë,” tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë.“Programi reflekton aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Programin e Reformave Ekonomike 2024-2026 dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit për klimën. Masat kryesore përfshijnë forcimin e qëndrueshmërisë fiskale, përmirësimin e sistemit të ndihmës sociale dhe nxitjen e reformave në sektorin e energjisë. Kuadri i politikave makroekonomike të Shqipërisë mbetet i qëndrueshëm, i karakterizuar nga deficit fiskali menaxhueshëm, borxh publik në rënie, politikë monetare e qëndrueshme e mbështetur nga masa dhe mbikëqyrje e kujdesshme”, thekson BB në njoftimin për shtyp publikuar në faqen zyrtare të BB.