Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka bërë thirrje për bashkim dhe përgjegjësi politike në një periudhë që ai e cilëson si të ndjeshme për vendin.
Përmes një reagimi publik, Bahtiri ka theksuar se Kosova nuk ka nevojë për “triumfe partiake”, por për unitet dhe stabilitet institucional, duke paralajmëruar për rreziqet nga jashtë.
Ai ka kritikuar gjithashtu zhvillimet në Kuvend, duke përmendur seancën e fundit ku, sipas tij, Lista Serbe nuk kontribuoi në proceset vendimmarrëse, por i bllokoi ato, konkretisht zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Bahtiri ka kujtuar se vendi ndodhet në një afat të kufizuar për zgjedhjen e Presidentit/es dhe u ka bërë thirrje deputetëve që të tejkalojnë dallimet politike.Në fund, deputeti i LVV-së ka apeluar që ndasitë të lihen mënjanë, duke theksuar se “një Kosovë e përçarë është dhurata më e mirë për armiqtë”.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka afat vetëm edhe 10 ditë për zgjedhjen e presidentit të ri. Tash e dy javë pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit, po e ushtron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albuena Haxhiu, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar nga Vjosa Osmani.