Babai i njërit prej djemve të vrarë në kafenenë "Panda" në Pejë, Lubomir Ristiq, tha sot se Prokuroria për Krimin e Organizuar do të duhet ta intervistoji Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me dijeninë e tij për vrasjen e gjashtë fëmijëve më 14 dhjetor të vitit 1998.
Ristiq i tha agjencisë Beta se familjet kishin kërkuar vazhdimisht të pranoheshin te Vuçiq në lidhje me deklaratën e tij se ai "di çfarë ndodhi natën kritike në 'Panda'", por nuk u pranuan.
“Vuçiqi nuk na priti kurrë për të biseduar, edhe pse premtoi ta bënte këtë, dhe Prokuroria për Krimin e Organizuar, ku po zhvillohet hetimi për vrasjen e fëmijëve tanë, nuk e ka intervistuar Vuçiqin as pas më shumë se dhjetë vitesh për njohuritë e tij për krimin në ‘Panda’, të cilat ai i ka deklaruar publikisht në disa raste. Po i kërkoj Prokurorisë për Krimin e Organizuar që më në fund ta intervistoji Vuçiqin në mënyrë që gjatë jetës sonë të zbulohet se kush ishin autorët dhe ata që urdhëruan vrasjen e gjashtë djemve”, tha Ristiqi.
Më 10 gusht 2023, përfaqësuesi ligjor i familjeve të djemve të vrarë në kafenenë “Panda”, avokati Ivan Niniq, i paraqiti Prokurorisë një propozim provash për të marrë në pyetje Vuçiqin për shkak të deklaratave të tij të mëparshme se ai gjoja di se çfarë ndodhi më 14 dhjetor 1998 në “Panda”.
Në kërkesë, thuhet se prindërit kërkojnë që Vuçiq të intervistohet në lidhje me deklaratat për krimin në "Panda", të cilat ai i dha mediave në disa raste nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se ai "pothuajse e di" se çfarë ka ndodhur natën fatale në atë kafene.
Raportohet se, si nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë dhe kreu i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq më 26 dhjetor 2013, në programin "Teška reč" (Fjala e rënd) në TV Pink ka thënë se : "Krimi në 'Panda' nuk është kryer nga shqiptarët, siç besonim deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta".
"Po kërkojmë në errësirë. Jam pothuajse i sigurt se çfarë ndodhi në kafenenë "Panda", por nuk kam prova. Nuk jam i sigurt se autoritetet tona mund të jenë krenare për atë që bënë atëherë", tha Vuçiq.
28 vjet më parë, më 14 dhjetor 1998, rreth orës 8:00 të mbrëmjes, dy sulmues të maskuar hapën zjarr me pushkë automatike mbi mysafirët e kafenesë "Panda", shumica e të cilëve ishin nxënës të shkollës së mesme nga Peja.
Vladimir Lonçareviq (18) dhe Mirsad Shaboviq (34) u plagosën rëndë, ndërsa Nikola Rajoviq (18) u plagos lehtë.
Disa ditë pas krimit, Sigurimi i Shtetit arrestoi dhe fajësoji një grup shqiptarësh vendas, por ata u liruan nga paraburgimi për shkak të mungesës së provave.
Hetimi për vrasjen në "Panda" filloi në vitin 2016 në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd.
Deri më tani, janë dëgjuar 39 dëshmitarë, por nuk është ngritur asnjë akuzë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Agjencisë së Lajmeve Beta në lidhje me bllokimin e hetimit të vrasjes, PKO deklaroi se që nga 12 maji 2016, kur nisi hetimi, janë marrë në pyetje 39 dëshmitarë dhe se nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitar i ri në dy vitet e fundit.
Kur u pyet pse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u mor në pyetje pas disa deklaratave të tij se dinte çfarë kishte ndodhur në "Panda" dhe se "krimi nuk ishte kryer nga shqiptarët", Prokuroria deklaroi se ende nuk ishte marrë asnjë vendim për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rinj.