Avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret në Pejë, bëri të ditur se sipas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, e moshuara është djegur-përvëluar në këmbë brenda shtëpisë “Orenda”.
Meshari Selimaj për KosovaPress deklaroi se për plagën në shputën e këmbës së të moshuarës, që nga fillimi kanë dyshuar që është djegie, por siç potencoi ai, është kundërshtuar nga “Orenda”. Sipas Selimajt, nga shtëpia e të moshuarve është mohuar një gjë e tillë, duke thënë se e moshuara ka sëmundje dhe se nuk është djegie.
Avokati i familjes së të moshuarës, shtoi se gjithashtu janë konstatuar gjakmbledhje nënlëkurore, gërvishje dhe dermishje lëkurore, të shkaktuara nga veprimit mekanik i mjetit të fortë ose përplasjes së trupit në ndonjë objekt të fortë.
“Ky raport i hedhë poshtë të gjitha pretendimet e shtëpisë ‘Orenda’ dhe tentimin e saj për ta shfajësuar veten dhe deleguar fajin vetëm tek infermieret”, shtoi Selimaj për KosovaPress.
Ndryshe, sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor. Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.
Gjykata Supreme, më 25 nëntor i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Pejë. Lajmin për KosovaPress e konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu. “Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojme se Kolegji gjyqesor i Gjykates Supreme, e ka pranuar si te bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë te mbrojtësit të pandehurës A.R., avokatit Blerim Ademaj.”, ka bërë të ditur ajo.