Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur disa parregullsi në Universitetin e Prishtinës, bën të ditur raporti i auditimit për vitin 2022.
ZKA ka evidentuar disa të gjetura, ndër to ajo për vonesën në pagesën e faturave rreth 1 milion euro, mos përdorimi i modulit të e-prokurimit për menaxhimin e kontratave dhe mangësi në menaxhimin e pasurisë.
Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2023. Ato kanë të bëjnë me kategorinë paga dhe mëditje, investime kapitale dhe mallra dhe shërbime dhe komunali.
Sipas raportit të ZKA-së, në nëntë raste të pagesave të testuara në vlerë 265,780€, janë vërejtur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit të përcaktuar ligjor prej 30 ditësh.
Auditori rekomandon rektorin se duhet të sigurojë se të gjitha obligimet ose faturat të paguhen brenda afatit prej 30 ditëve pas pranimit të faturave.
Përveç kësaj, në raportin e ZKA-së thuhet se ka ndodhur edhe mos përdorimi i modulit të e-prokurimit për menaxhimin e kontratave në Universitetin e Prishtinës.
ZKA konstaton se mos përdorimi i modulit të e-prokurimit për menaxhimin e kontratave, rezulton me mos pajtueshmëri me autoritetet dhe rrezikon menaxhimin efektiv dhe transparentë të kontratave.
Auditori rekomandon rektorin: “Duhet të sigurojë trajnimin e zyrtarëve përgjegjës, në mënyrë që të mundëson aplikimin e modulit përkatës së sistemin e e-prokurimit, për një menaxhim efektiv dhe transparent të kontratave”.
Sipas auditorit, kjo situatë ishte shkaktuar si rezultat i mos funksionimit të duhur të kontrolleve në fushën e menaxhimit të pasurive.
ZKA konstaton në raport se mirëmbajtja manuale e të dhënave dhe mos harmonizimi i gjendjes së pasurisë me regjistrin kontabël rrit mundësinë e gabimeve në mirëmbajtjen e regjistrave, shlyerjeve potenciale, keqpërdorimit, humbjes apo të tjetërsimit tyre.