Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) u ka bërë thirrje të gjithë personave fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive apo pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike si Airbnb dhe platformave të ngjashme, që t’i deklarojnë këto të ardhura dhe të përmbushin detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi, përcjell KosovaPress.
ATK njofton se, në kuadër të aktiviteteve për identifikimin e ekonomisë joformale, ka analizuar të dhënat dhe informacionet në dispozicion dhe ka konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga qiradhënia e pronave pa u regjistruar në ATK, pa i deklaruar të ardhurat dhe pa paguar detyrimet tatimore.
ATK thekson se disponon informacione dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që përfitojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave. Në rast se detyrimet nuk përmbushen vullnetarisht, administrata paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore, përfshirë regjistrimin sipas detyrës zyrtare, vlerësimin e detyrimeve tatimore mbi bazën e të dhënave që posedon, ngarkimin me interesa dhe gjoba, si dhe masa të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara me legjislacionin tatimor.