Në territorin e Komunës së Malishevës, ka kaluar edhe një sezon që mund të quhet i suksesshëm, sa i përket endemisë me EHKK (Ethet Hemorragjike Krime Kongo), pasi edh këtë vit, deri më tani edhe kur ka përfunduar shkalla e rrezikshmërisë, nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me këtë virus.
“Lirisht mund të konsiderohet vit i suksesshëm, pasi edhe këtë vit, nuk kemi të regjistruar asnjë rast të infektimit me EHKK, e aq më pak të vdekjeve eventuale. Për këtë i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e EHKK”, ka thënë sot, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha.
Gjatë këtij vitit, Komuna e Malishevës dhe QKMF në Malishevë, kanë mbajtur ligjërata vetëdijesuese nëpër shkolla, si dhe është vazhduar me spërkatjen apo dezinsektimin, kundër rriqrave si bartës të virusit të EHKK, që është pjesë e kompetencave të nivelit lokal, në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK.