"Tmerri ka emër", është libri i cili u promovua nga ish i burgosuri politik, Asllan Selimi. Ky ditar historik ka kujtime nga lufta, burgu, gjykimi, dënimi dhe masakra në burgun e Dubravës.
Në promovimin e librit nga Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës, u tha se i njëjti është kontribut për dokumentimin e mizorive ndaj shqiptarëve në burgjet serbe.Në emër të familjes, Ramadan Selimi falenderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar në promovimin e këtij libri.
Ish-i burgosuri politik, Hydajet Hyseni, lexoi një letër të dërguar nga kryeministri Albin Kurti, në të cilën u tha se më shumë se kurrë nevojitet ky format i librit për të dëshmuar të vërtetën mbi vuajtjet dhe sakrificat e idealistëve.
Edhe ish i burgosuri politik, Nait Hasani, tha se Asllani në librin e tij ka përshkruar torturat çnjerëzore dhe sakrificën e qëndresën e pathyeshme të shqiptarëve.
Ish-gjenerali Kudusi Lama theksoi se është i befasuar me përshkrimin që ka bërë Asllani në këtë libër.
Ndërsa redaktori i këtij libri, Lan Qyqalla, tha se ky libër duhet të ketë vend në sirtarët e bibliotekave të shkollave.
Libri “Tmerri ka emër” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.