Ismail Kadare i shërbeu kombit deri në frymën e fundit
Lexohet për: 3 min.
449466343_1012983493519523_8352020974571534063_n
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja Vjosa Osmani pas lajmit për vdekjen e shkrimtarit, Ismail Kadare, ka shkruar se ai ishte gjeniu shqiptar i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet.

Osmani ka shkruar në Facebook se në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë.

“Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet. Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore. Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin "Hasan Prishtina"”, ka shkruar ajo.

Sipas Osmanit, për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht.

“Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit. Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare”, ka shkruar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024