Dogana e Kosovës, përmes kontrolleve të rregullta të autorizimeve doganore dhe mbikëqyrjes së mallrave nën kontroll doganor, ka realizuar një vizitë kontrolluese në një depo doganore të autorizuar në rajonin e Mitrovicës.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit është verifikuar përmbushja e kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga autorizimi për ruajtjen e mallrave nën mbikëqyrje doganore.
Sipas Doganës, bëhet fjalë për 19,875 kilogramë produkt ushqimor me bazë yndyre bimore, për të cilin është konstatuar se afati i përdorimit kishte skaduar. Për këtë rast është njoftuar menjëherë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyrtarët e së cilës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfirmuar gjendjen e mallit, duke urdhëruar asgjësimin e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Mallrat me afat të skaduar janë larguar nga depoja doganore dhe janë transferuar sipas procedurave përkatëse në hapësirat e përcaktuara nga Dogana e Kosovës, deri në përfundimin e procedurave të asgjësimit”, thuhet në njoftim.Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurat e mëtejshme administrative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizave.