Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së Bedri Hamza ka mbajtur një tubim masiv me mijëra veteranë të UÇK-së, duke thënë se ata janë ndërgjegjja e Kosovës dhe vlera që i flet secilës gjeneratë.
Hamza u ka thënë veteranëve se ata nuk luftuan vetëm për pragun e shtëpisë, por për drejtësi, barazi dhe dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit.
“Asnjë luftëtar i lirisë kurrë nuk do të jetë vetë, as këtu dhe as në Hagë...Besojmë fuqishëm se shumë shpejt festave tona do t’iu shtohet hijeshia edhe me presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, bacën Jakup, Rexhën dhe gjithë bashkëluftëtarët e tyre...”, ka thënë Hamza.
“Familjarët e dëshmorëve nuk do të zgjedhin më në mes pensionit të moshës dhe atij të dëshmorit, por do t’i marrin të dyja... Veteranët më nuk do të kenë kufizime, por do të kenë mundësi të punojnë dhe t’i marrin edhe të ardhurat mujore nga shteti”, ka thënë Hamza.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, i cili ka thënë se PDK-në me veteranët përherë do t’i bashkojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).Në këtë tubim u shfaq edhe një video “Një histori dashurie për Kosovën” kushtuar ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.