Përvojat femërore ndër shekuj dhe roli i gruas në shoqërinë e shekullit 21-të përmes kujtimeve është pjesë e krijimeve të pesë artisteve greke në ekspozitën “Woman, the power of Creation” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.
Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadorja Heleni Vakali, është shprehur e lumtur për hapjen e kësaj ekspozite pas përfundimit të aktivitetit 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në Kosovë.
Profesoresha e Departamentit të Studimeve Ballkanike pranë universitetit Maqedonia Perëndimore, Stavroula Mavrogeni ka folur mbi shqetësimet që paraqesin autoret në këtë ekspozitën mbi përvojat femërore ndër shekuj.
“Gruaja si simbol dhe si imazh, pushtoi dhe vazhdon ta pushtojë artin. Në një kulm të prodhimit artistik të artistëve grekë, ne krijuam ekspozitën “Gruaja fuqia e krijimit”. Në punën e tyre artistike, piktoret reflektojnë shqetësimin e tyre për përvojat femërore ndër shekuj dhe qartësojnë rolin e gruas në shoqërinë e shekullit të 21-të. Karakteristikë e përbashkët e punës së tyre është prezantimi i kujtimeve, të cilat çdo grua i bart përmes historisë personale dhe të kaluarës së saj familjare, kujtimet e gjysheve, nënave, miqve dhe jeta e tyre personale. Kujtimet, të krijuara me ose pa kontributin e tyre, inspiruan punën e tyre artistike dhe përfaqësonin nevojën e tyre për t’u shprehur. Krijimet e tyre janë një mjet për të kuptuar një epokë, një koncept apo një hapësirë të re që eksplorojnë tema të ngjashme në lidhje me identitetin, origjinën, kujtesën personale dhe kolektive, histori dhe mite që janë heshtur ose harruar për shekuj. Këto memorie rikthehen në sipërfaqe në aspekte të ndryshme përmes storieve personale ”, ka thënë ajo.“Të jetosh si grua në hapësirat tona dhe më gjerë nuk është lehtë, por të jesh grua artiste është shumë më e ndërlikuar dhe e vështirë. Duke u kthyer mbrapa në kohë shohim se vetëm para 100 vjetësh grave u është lejuar studimi për artin, madje artisti gjerman Georg Baselitz shprehet se gratë nuk mund të pikturojnë mirë, dhe për këtë arsye nuk mund të marrin çmime, që për mua është absurde, por fatmirësisht sot meshkujt nuk janë ashtu. Në vazhdim thekson se grave iu mungon ambicia. Shumë herë gratë janë ndalur se punuari duke qenë të diskriminuara në rrugën drejt avancimit dhe afirmimit krijues nga egoja mashkullore”, tha Prelvukaj.
Vizitorët në këtë ekspozitë mund të njihen për së afërmi me vepra të ndryshme arti të punuara nga Maria Kompatsiari, Spiridoula Politi, Ioanna Terlidou, Eleni Theofilaktou dhe Zefi Tiftiktsoglou. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 20 dhjetor.