Policia e Kosovës ka bërë më dije se ka arrestuar një person “të shumëkërkuar” me urdhër arrest ndërkombëtar nga Gjermania, për të cilin u tha se kërkohej për vepra penale që lidhen me trafikimin e narkotikëve.
Operacioni që u vlerësua i suksesshëm, u realizua të mërkurën, nga ekipi për gjurmimin e personave me fletarrest vendor dhe ndërkombëtar, thuhet në një njoftim që u lëshua të mërkurën rreth orës 22, përcjellë KosovaPress.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent nga Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit. Ky i fundit është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ku pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.
Policia njoftoi se veprimet e mëtejme në lidhje me këtë rast do të ndërmerren në koordinim me autoritetet kompetente vendore dhe ndërkombëtare. /KosovaPress/