Sonte në aeroportin e Rinasit është arrestuar Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa pak kohë pas kësaj këtij të fundit iu caktua masa detyrim paraqitje dhe iu bllokua pasaporta.
Dëshmitarët kanë parë policinë që ka shoqëruar Malltezin, , i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, në momentin që ka mbërritur në aeroport për të udhëtuar jashtë vendit, ndërkohë që Top Channel mëson se arrestimi është bërë me urdhër të SPAK-ut.
Veç arrestimit të Malltezit, GJKKO vendoi detyrim paraqitje për vjehrrin e tij ish-kryeministrin Sali Berisha dhe për Fatmir Bektashin. Berishës gjithashtu i është bllokuar pasaporta dhe nuk mund të lëvizë jashtë vendit.
Mbi Jamarbër Malltezin, rëndojnë akuza e korrupsionit, neni 260 bashkë me Berishën dhe neni 287 korrupsion në bashkëpunim me Fatmir Bektashin. Ndërsa Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv neni 245 dhe neni 287 në bashkëpunim me Malltezin.
E vetmja dosje me të cilën lidhet emri i Malltezit dhe për të cilën është kallëzuar në SPAK është ajo e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Padia në SPAK për këtë dosje është çuar nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla në kohën kur ishte kreu i grupit të Partisë Socialiste.
Bëhet fjalë për një pronë me rreth 10.000 metra katrorë, në qendër të Tiranës që në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë, më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla./tch