Sipas Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka pësuar ngritje vetëm për rreth 12 mijë euro apo 2.21 për qind në krahasim me vitin 2022. Kjo nënkupton se APK-ja, si shkak i kostos buxhetore, do të ketë të pamundur të realizojë obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara. Kështu u tha në konferencën e Lëvizjes Fol, ku u publikua raporti “Kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore”.
Hulumtuesja e Lëvizjes Fol, Albana Hasani tha se përmes këtij raporti kanë analizuar kapacitetet aktuale të APK-së mbi mundësitë e përmbushjes së mandatit ligjor, pra kompetencat dhe përgjegjësitë, në raport me rritjen e vëllimit të punëve të paraparë me miratimin e ligjeve të reja që e mbulojnë fushëveprimatrinë e këtij institucioni. Krahas kësaj, Hasani shtoi se pavarësisht rritjes së punëve në këtë institucion, numri i punëtorëve vazhdon të mbetet i njëjtë.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...
Derisa vlerësoi se duhet të rritet buxheti, Hasani tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Ligjit për Deklarimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë rritur në masë të madhe.
Hasani tha se për nevojat e përpilimit të këtij raporti, Fol ka intervistuar edhe zyrtarët përgjegjës të APK-së rreth mundësisë dhe kapaciteteve për realizimin e obligimeve ligjore, ajo shtoi se, të njëjtit kanë theksuar se për zbatimin e obligimeve shtesë, agjencia nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore.
Ajo theksoi se planifikimi buxhetor i bërë nga Qeveria e Kosovës dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore.