Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë të datës 18 nëntor 2025, me të cilin të akuzuarit Nderim Gashi, Ardit Gashi, Agron Gashi, Bahri Gashi dhe Basri Gashi u dënuan me 44 vjet burgim në total.
Ankesat e palëve u elaboruan në seancën e datës 26 mars 2026, e cila u mbajt nga kolegji i gjyqtarëve i përbërë nga Valbona Musliu-Selimaj – kryetare, Xhevdet Abazi – gjyqtar referues dhe Kadrije Goga-Lubishtani – anëtare e kolegjit.
Në vijim, Apeli vlerëson se pretendimet e Prokurorisë Themelore në Pejë nuk janë të bazuara, ngase në ankesë, përveç që i përsërit rrethanat rënduese të potencuara në vendimin e Themelores, nuk ka cekur asnjë rrethanë tjetër me ndikim për shqiptimin e një dënimi tjetër.
Apeli njëjtë i vlerëson edhe pretendimet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Fanol Krasniqi, duke konsideruar se në përmbajtjen e ankesës së tij flitet më shumë për kualifikimin juridik të veprave penale dhe atë duke pretenduar se të akuzuarit është dashur të shpallen fajtorë për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, e jo të lirohen të akuzuarit tjerë, e që me këtë edhe dënimi konsiderohet i butë, duke përfshirë të gjithë të akuzuarit.Sipas Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve nuk kanë cekur asnjë rrethanë tjetër lehtësuese që do të ndikonte në zbutjen e dënimit, që do të thotë se Themelorja i ka vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese dhe, duke i marrë parasysh ato, u ka shqiptuar dënimin të akuzuarve si në dispozitiv të vendimit të ankimuar.
Në fund, Apeli thekson se duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat e konstatuara në vendimin e ankimuar, rrethanat e rastit konkret dhe mënyrën se si është zhvilluar ngjarja kritike, rezulton se dënimi të cilin e ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë ndaj të akuzuarve është i drejtë dhe i ligjshëm, dhe se i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarve.
Njëri nga të plagosurit ishte Basri Gashi, i cili është i akuzuar në rastin e vrasjes së vëllait të Hoxhajt dhe i cili më 17 tetor, pas shpalljes së aktgjykimit, u lirua nga masa e paraburgimit. I plagosuri tjetër ishte A.U., i cili kishte shkuar t’i marrë Gashin dhe të tjerët që ishin liruar nga paraburgimi.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e privuan nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohej se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.