Trupat izraelite kanë shtënë me armë zjarri ndaj një veture në Bregun Perëndimor, duke vrarë një foshnjë 7-muajshe dhe plagosur prindërit e saj, njoftoi Ministria palestineze e Shëndetësisë, të shtunën, raporton AP, përcjellë KosovaPrees.
Sipas kësaj agjencie, plumbi goditi foshnjën në fytyrë.
Babai i foshnjës, palestinezi Fahd Abu Haikal, ligjërues në Universitetin e Betlehemit, i tha agjencisë Associated Press se një plumb depërtoi përmes xhamit të përparmë të veturës, i goditi dorën e djathtë dhe më pas preku foshnjën dhe bashkëshorten e tij, e cila ndodhej në ulësen e pasme. Një plumb tjetër, goditi kapakun e motorit, sipas gazetarëve të AP-së që panë automjetin.
“Ai ishte e gjithë bota jonë”, tha babai për djalin, i cili kishte mbushur shtatë muaj të premten.Babai kërkoi drejtësi për vrasjen e djalit të tij.
“Në fund të thonë se ishte një gabim”, tha ai.