Anketa: Ja kush do t’i fitojë zgjedhjet
Lexohet për: 2 min.
Paaaartit
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Tema e zgjedhjeve të parakohshme ka zgjuar kureshtjen e qytetarëve se cila prej subjekteve politike gëzon aktualisht mbështetjen më të fuqishme te kutitë e votimit.

Një anketë e realizuar nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress, në të cilën deri më 25 maj kanë votuar 2083 respondentë, zbulon renditjen e partive politike në vend.

Ndonëse me shumë akuza nga opozita për mos punë në qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet gëzon më së shumti besim në radhët e qytetarëve.

Partia e Albin Kurtit, e cila ka shumicën në Kuvendin me 120 ulëse, vazhdon të prijë edhe më tej. Ajo ka marrë 41.72 për qind ose 869 vota të qytetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Memli Krasniqi, si e vetmja që iu përgjigj pozitivisht ftesës së Kurtit për takim, renditet e dyta me 36.58 për qind ose 762 vota.

Në vendin e tretë renditet Lëvizja Demokratike e Kosovës e Lumir Abdixhikut, me 15.36 për qind ose 320 vota, pasuar nga Koalicioni AAK-NISMA me 2.11 për qind ose 44 vota. Lista Guxo, e cila është pjesë e Vetëvendosjes, ka marrë besimin e  vetëm 0.91 për qind të qytetarëve ose 19 vota.

Numri i qytetarëve të cilët “nuk e dinë” se për cilën parti do të votojnë është 68 ose 3.31 për qind.

Shkuarja në zgjedhje të reja është ri-aktualizuar pas takimit në mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili u refuzua nga LDK e AAK.

Data për zgjedhje caktohet nga presidentja e vendit pas konsultimeve me partitë politike. Kjo ndodh pasi të shpërndahet Kuvendi. PDK aktualisht ka propozuar 30 qershorin ose 7 korrikun si datë të mundshme të zgjedhjeve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025