Angli-Argjentinë, më shumë se një lojë, kjo është historia 60-vjeçare e këtij rivaliteti
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Angli-Argjentinë, më shumë se një lojë, kjo është historia 60-vjeçare e këtij rivaliteti
New Project - 2026-07-15T162243.179
15/07/2026 - 16:29
Linku u kopjua

Përballja mes Anglisë dhe Argjentinës në gjysmëfinalen e Botërorit 2026 në Atlanta nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por kapitulli i radhës i një prej rivaliteteve më të ashpra në historinë e sportit.

Ky takim i parë mes dy kombëtareve pas 21 vitesh sjell sërish në skenë një tension të vjetër që përzien sportin me politikën, duke pasur në sfond luftën e vitit 1982 për ishujt e kontestuar në Atlantikun e Jugut.

Gjithçka nisi në çerekfinalen e vitit 1966, kur trajneri anglez Alf Ramsey i quajti lojtarët argjentinas "kafshë" pas një ndeshjeje tejet të ashpër, ku kapiteni argjentinas Antonio Rattin refuzoi të largohej nga fusha pas kartonit të kuq dhe u ul në shenjë proteste mbi tepihun e kuq të rezervuar për Mbretëreshën Elizabeth II.

Kulmi i këtij armiqësie u arrit në vitin 1986, kur Diego Maradona shënoi golin e famshëm me dorë ("Dora e Zotit") dhe vetëm katër minuta më vonë realizoi "golin e shekullit" pasi dribloi gjysmën e skuadrës angleze.

Ky rivalitet u pasurua edhe në vitin 1998 me kartonin e kuq dramatik të David Beckham-it pasi u provokua nga Diego Simeone, përpara se Beckham të merrte shpagimin e tij në vitin 2002 duke shënuar penalltinë e fitores.

Se sa i gjallë dhe i çuditshëm mbetet ky rivalitet edhe sot, e tregon më së miri një incident i fundit: ish-mbrojtësi argjentinas Oscar Ruggeri mori në video-thirrje ish-lojtarin e Anglisë, Gary Stevens, live në një emision televiziv duke i kërkuar t'ia kthente fanellën që kishin shkëmbyer në vitin 1986 dhe duke i bërtitur: "Na ktheni ishujt!".

Megjithatë, jashtë fushës sot ka më shumë diplomaci; Beckham dhe Simeone janë pajtuar e madje kanë shkrepur foto së bashku kohët e fundit.

Por sapo të bjerë bilbili i fillimit në Atlanta, i gjithë ky respekt diplomatik do t'i lihet vendit një beteje të zjarrtë për një biletë në finalen e madhe të Botërorit.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026