Angazhimi i FSK-së në Gaza, hap strategjik për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në
Tema
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Angazhimi i FSK-së në Gaza, hap strategjik për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në
FSK
Foto Ilustruese
01/03/2026 - 12:01
Linku u kopjua

Shërbimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, po vlerësohet si hap i rëndësishëm në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në rritjen e rolit ndërkombëtar të vendit në fushën e sigurisë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, angazhimi i FSK-së në misione ndërkombëtare, si ajo në Gaza, përbën dëshmi të pjekurisë institucionale dhe të kapaciteteve profesionale të saj, duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si përfituese, por edhe si kontribuuese të sigurisë globale.

Mirëpo, si shpjegohet fakti që FSK-ja po merr pjesë në ruajtjen e paqes në Gaza, ndërsa në Kosovë ende ka trupa të KFOR-it që e ruajnë paqen këtu?

Drejtori i Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, ka thënë për KosovaPress, se pjesëmarrja në misione paqeruajtëse është e domosdoshme për Kosovën.

Ndërkohë, teksa ende Kosova ruhet nga forcat e KFOR-it, Vrajolli ka thënë se pjesëmarrja e saj nuk është një dobësi e sigurisë së Kosovës, por një anë e fortë e sigurisë së saj.

Sipas tij, Kosova duhet t’ia kthejë këtë të mirë ndërkombëtarëve nëpërmjet pjesëmarrjes në misione paqeruajtëse.

“Është jashtëzakonisht me rëndësi që Kosova mos me qenë vetëm konsumuese e sigurisë, por edhe eksportues sigurie...3:15 Duhet ta kemi parasysh që misioni i KFOR-it përveç që është mision ushtarak, është edhe mision politik, duhet të shihet nga kjo perspektivë, kështu që pjesëmarrja e KFOR-it në Kosovë, absolutisht nuk është një dobësi e sigurisë së Kosovës, por është një anë e fortë e sigurisë së Kosovës. Megjithatë, Kosova duhet të ofrojë diçka në kundërvlerë. Mendoj që janë bërë më tepër se 25 vite prej kur misioni i NATO-s është i pranishëm në Kosovë dhe për ta ulur këtë barrë financiare të cilën vendet perëndimore e kanë, atëherë Kosova duhet të jetë sa më parë e gatshme që t'ia kthejë këtë të mirë nëpërmjet pjesëmarrjes nëpër misione paqeruajtëse”, ka thënë Vrajolli.

Edhe drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, e ka cilësuar këtë angazhim si mesazh strategjik në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike.

Pasi që ende konflikti me Serbinë është i pazgjidhur, sipas tij e bën të domosdoshëm një rol stabilizues të KFOR-it, duke theksuar se edhe FSK-ja është i mbështetur në një program brenda standardeve të Aleancës Veri-Atlantike si forcë mbrojtëse.

“FSK e përfshirë në misionin për Gazën është jo vetëm afirmim i kapaciteteve të saj për të kontribuar, por është edhe mesazh shumë i rëndësishëm strategjik për Republikën e Kosovës në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përplasjeve aktuale gjeopolitike në botë... 2:44 Bashkëpunim, bashkëveprim dhe specifikë e Kosovës, që ende nuk është anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, por është brenda ombrellës së Aleancës Veri-Atlantike. Natyrisht, specifikat që lidhen me faktin që konfliktin me Serbinë ende e kemi të pazgjidhur, e bën të domosdoshëm një rol stabilizues dhe reaktiv të KFOR-it vetëm në situatat e jashtëzakonshme. Prania e forcave të NATO-s në Kosovë ka qenë faktori i rëndësishëm për paqen dhe për zhvillimin e dhe konsolidimin shtetëror të Republikës së Kosovës, por jo në kuptimin e një rivaliteti, aq më tepër kur kemi parasysh që ndërtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i mbështetur në një program brenda standardeve të Aleancës Veri-Atlantike si forcë mbrojtëse”, ka shtuar Fetoshi.

Ndërkaq, koloneli në pension i FSK-së, Afrim Veseli, e ka cilësuar këtë operacion si hap me rëndësi jetike drejt anëtarësimit në NATO.

Edhe Veseli për ruajtjen e kufijve nga KFOR-i e jo nga FSK-ja, ka thënë se forcat tona kalojnë në veri të vendit atëherë kur është nevoja.

Veseli tutje ka thënë se është njëri nga oficerët e FSK-së që ka qenë në veri të vendit me KFOR-in.

Ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se gjatë viteve të fundit, FSK-ja ka ndërtuar kapacitet e saj, që të jetë e aftë për të eksportuar siguri jashtë vendit.

Maqedonci ka vlerësuar se në vitet në vijim do të zhvillohet një dialog serioz me NATO-n rreth çështjes së kompetencave dhe përgjegjësive të institucioneve të sigurisë në Kosovë, duke përfshirë FSK-në.

Kosova dhe Shqipëria janë ndër pesë vendet e para që do dërgojnë trupa për ofrimin e sigurisë në Gaza në kuadër të Bordit të Paqes.

Pesë vendet e para që kanë angazhuar trupa për të shërbyer në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania kanë marrë përsipër të trajnojnë policinë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026