Anëtarësimi i Kosovës, Vuçiq: Serbia do të merr “vendim serioz” për KiE
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi sot se Serbia do të marrë “vendim serioz” për Këshillin e Evropës, nëse kjo organizatë pranon Kosovën si anëtare. “Ne do të vazhdojmë të flasim për Kosovën, do të marrim edhe vendime për Këshillin e Evropës. Mendoj se reagimi i Serbisë duhet të jetë i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiq pa shpjeguar se cili do të jetë vendimi i vendit të tij nëse Kosova bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës muajt e ardhshëm.
Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi të mërkurën raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta jep Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.
Duke folur për asociacionin, Vuçiq tha se disa emisarë perëndimorë i kanë thënë “në disa raste se është Kosova ajo që së pari duhet të ndërmarrë një hap në lidhje me themelimin e asociacionit, para çdo hapi nga Serbia”. Në mesin e emisarëve që Vuçiq pretendon se ia thanë këtë, janë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Vuçiq paralajmëroi takime “të rëndësishme” dhe shtoi se kishte marrë një ftesë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për një vizitë dhe “se së shpejti” do të diskutonte për asociacionin. Çështja e themelimit të asociacionit ka vite që zvarritet, edhe pse për të ka një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë qysh prej vitit 2013. Në fund të vitit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare ua propozoi palëve një draft për statutin që do të kishte ky asociacion. Palët, fillimisht, thanë se e pranojnë në parim, por nuk kanë bërë asnjë hap përpara. /
REL