Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim emisarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, me ç'rast ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në takim u diskutua edhe mbi zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, si dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon. Ndryshe, Komiteti i Asamblesë Parlamentare të KiE miratoi në mars 2024 opinionin e raportueses Dora Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion javën e ardhshme, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta jep Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje në muajin maj. Kosova ka aplikuar në maj 2022 për anëtarësim në KiE. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.