Milan Radoiçiq dhe të gjithë autorët e sulmit terrorist në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë, thotë ambasadori i Francës në Kosovë, Olvier Guerot. Ai deklaron se KFOR-i dhe EULEX po punojnë për të garantuar paqen në veri, mirëpo shton se siguria në atë pjesë është ende e brishtë. Diplomati francez në një intervistë për KosovaPress, thotë se institucionet e Kosovës duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veri, në mënyrë që situatë mos të përkeqësohet.
Guerot për KosovaPress, flet edhe për hapjen e urës së Ibrit dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Presidenti Macron ka theksuar vazhdimisht nevojën që jo vetëm Milan Radojicic, por të gjithë autorët, autorët e mundshëm, apo autorët e dyshuar të dalin para drejtësisë. Ne i përmbahemi kësaj si një mesazh shumë i qartë që është dhënë në nivelin më të lartë dhe sigurisht presim që Serbia ta ndjekë këtë. Unë mendoj se askush nuk është i interesuar që situata në veri të përkeqësohet”, thotë ai.
Sipas tij, situata e sigurisë në veri është e brishtë, mirëpo shton se KFOR-i dhe EULEX, po punojnë për të garantuar paqe dhe siguri në atë pjesë.Sa i përket hapjes së urës së Ibrit, ai thotë se një gjë e tillë duhet të diskutohet në dialogun e Brukselit.
Ai e vlerëson si pozitive koordinimin e qeverisë për këtë temë.