Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.
Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut - një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta "lirojnë" objektin e tyre brenda tri ditësh.
“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë.
Inspektorati komunal tha se nuk i është ofruar ndonjë dokumentacion në bazë të të cilit institucionet e Serbisë mund ta shfrytëzojnë atë objekt, dhe se institucionet e Serbisë ishin njoftuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe paraqesin dokumente ose kontratë për shfrytëzimin e objektit.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, njoftoi se "kryetarët jolegjitimë kanë shkuar një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe objektet".
Në anën tjetër, nga komuna e Mitrovicës së Veriut thonë se zyrtarët e tyre i ka takuar nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili u ka thënë se “nuk ka asnjë dokument për objektin dhe se nuk e di se në pronësinë e kujt është.
Lista Serbe pyeti edhe bashkësinë ndërkombëtare “a po respektohet në këtë mënyrë thirrja e tyre që kryetarët jolegjitimë të bëjnë vetëm punë administrative dhe të mos marrin vendime politike kundër qytetarëve të komunave tona?”
Kryetar i Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ata i ka kundërshtuar ashpër popullata lokale serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit, nga të cilat kanë dalë ata kryetarë.
Banorët lokalë ka gati tre muaj që protestojnë para objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, duke kërkuar nga Policia e Kosovës që të tërhiqet dhe nga kryetarët shqiptarë që të mos dalin në punë.
Vetëm në Mitrovicën e Veriut ekziston një ndërtesë e veçantë komunale që funksionon nën sistemin e Kosovës dhe atje nuk ka pasur protesta./REL