Ambasada e Italisë në Kosovë shënon edicionin e 10-të të Italian Design Day, kushtuar Re-Design, me një emër të veçantë: Gaetano di Tondo, President i Arkivit Historik Olivetti
Edicioni i dhjetë i Italian Design Day 2026 konfirmohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme për promovimin e përsosmërisë italiane jashtë vendit. Në fokus të këtij viti është tema “RE-DESIGN. Rigjenerimi i hapësirave, objekteve, ideve dhe marrëdhënieve”, e cila shkon përtej një deklarate të thjeshtë dhe pasqyron një nevojë shumë aktuale: të mendojmë sërish mënyrën se si jetojmë hapësirat, si e projektojmë të tashmen dhe si ndërtojmë marrëdhënie më të ndërgjegjshme.
Ngjarja, e planifikuar për të premten, më 10 prill, do të hapet me fjalët përshëndetëse të Chiara Castaldo, Zëvendës Ambasadore e Italisë në Kosovë, së bashku me Leutrim Fishekqiun dhe Vatra Abrashin, drejtorë dhe bashkëthemelues të Autostrada Biennale, partner i konsoliduar i Ambasadës dhe një pikë referimi në skenën kulturore të Kosovës, si dhe me Zëvendësministren e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi.
Momenti kyresor i ngjarjes do të jetë fjala e Gaetano di Tondo, President i Shoqatës Arkivi Historik Olivetti dhe Zëvendëspresident për Komunikimin në Olivetti. Ai do të sjellë një reflektim mbi vlerën e Re-Design në historinë dhe trashëgiminë e Olivetti-t: një mundësi e veçantë për të ndarë një shembull konkret se si inovacioni, kultura dhe përgjegjësia sociale mund të krijojnë modele të qëndrueshme dhe vizione për të ardhmen. Më pas do të zhvillohet një diskutim i hapur, i pasuruar nga kontributi i profesoreshës Flaka Xerxa Beqiri, Prodekane e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Ngjarja synon të vërë në dialog vizionin industrial, kujtesën historike dhe formimin akademik, duke e rikthyer dizajnin në thelbin e tij më të thellë: si një mjet që i jep formë ndryshimit.Në përfundim të diskutimit të hapur do të zhvillohet një vizitë në ekspozitën “Olivetti në Femërore”, kushtuar rolit të gruas në fushatat ikonike publicitare të Olivetti-t.
Italian Design Day 2026 nuk paraqitet thjesht si një festë, por si një mundësi për reflektim dhe dialog mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes estetikës dhe funksionit. Një moment ku dizajni rikthehet si një mjet konkret rigjenerimi dhe si një instrument që hap perspektiva të reja të përbashkëta.