Chelsea FC ka konfirmuar zyrtarisht se ish-trajneri i Bayer Leverkusen dhe Real Madrid, Xabi Alonso, do të jetë trajneri i tyre i ri nga 1 korriku 2026.
Alonso, i cili kthehet në Premier Ligë ku dikur luante për Liverpool-in, bëhet trajneri i pestë permanent nën epokën e Todd Boehly-t, duke pasuar Liam Rosenior-in e shkarkuar. Pavarësisht një periudhe të vështirë dhe jetëshkurtër te Real Madridi që përfundoi në janar të këtij viti, vlera e spanjollit në treg mbeti e lartë, gjë që shtyu bordin e "Bluve" të Stamford Bridge të lëvizë me shpejtësi për t'i siguruar shërbimet e tij për katër vitet e ardhshme.
"Chelsea është një nga klubet më të mëdha në futbollin botëror dhe më mbush me një krenari të madhe të bëhem menaxher i këtij klubi të madh... Nga bisedat me grupin e pronarëve dhe udhëheqjen sportive, është e qartë se ne ndajmë të njëjtën ambicie. Ne duam të ndërtojmë një skuadër të aftë për të konkurruar vazhdimisht në nivelin më të lartë dhe për të luftuar për trofe."
Ky emërim vjen në një moment kritik për Chelsean, që aktualisht pozicionohet në vendin e nëntë në Premier Ligë dhe rrezikon të mbetet jashtë garave evropiane për sezonin e ardhshëm.